Meliá Hotels International ka prezantuar hotelin e saj të dytë në Shqipëri, Melia Durrës, në një event ku mori pjesë edhe Kryeministri i vendit, z.Edi Rama.
Gjithashtu, gjatë eventit u prezantua si partner strategjik dhe investitor në vend Grupi Concord.
Falë masave të reja të ndërmarra në Shqipëri për të nxitur turizmin dhe mundësisë së rëndësishme të ofruar nga Grupi Concord, Meliá ka gjetur rastin të përfshihet në zhvillimin e industrisë hoteliere në vend dhe të vijojë me shtrirjen e ndikimin e saj në Mesdhe me hapjen e hoteleve Meliá Durrës dhe Meliá Tirana në të ardhmen.
Meliá Hotels International i sjell partneritetit lidershipin e saj ndërkombëtar në hotelet turistike, përvojën dhe ekspertizës së përkryer së destinacioneve pioniere dhe jehonën e markës së saj në rajonin e Mesdheut, një zonë në të cilën Shoqëria është një aktor dominues.
Meliá Durrës do të ndërtohet në qytetin e dytë më të rëndësishëm në vend dhe synon të zërë vendin e hotelit model në këtë destinacion në zhvillim, i njohur si “perla e re e Mesdheut” falë vendndodhjes, plazheve dhe shumëllojshmërisë natyrore. Ky rezort i jashtëzakonshëm me pesë yje në plazhin e zonës së Gjirit të Lalzit, do të ofrojë 400 dhoma dhe ambiente plotësuese shtesë. Ndër të tjera, Meliá Durrës do të ofrojë shumëllojshmëri të gastronomisë së nivelit të lartë në tetë restorante, disa pishina, një Spa YHI ekskluzive, qendër fitnesi, klub plazhi, sallë konferencash dhe parkim.
Gjatë prezantimit, María Zarraluqui, Zëvendëspresidente e Zgjerimit Ndërkombëtar të Meliá Hotels International, tha se “duke qëndruar këtu, në vendin ku do të ngrihet e ardhmja e Meliá Durrës, mund të kuptojmë edhe më mirë potencialin e madh të këtij destinacioni. Falë avantazheve natyrore dhe përkushtimit ndaj turizmit cilësor të treguar nga qeveria dhe investitorët kryesorë lokalë si Grupi Concord, po transformohet në një nga destinacionet më të parapëlqyera në Mesdhe. Jemi shumë krenarë që jemi pjesë e kësaj të ardhmeje dhe që mund të kontribuojmë me përvojën tonë.”
Meliá Hotels International njoftoi së fundmi nënshkrimin e një marrëveshje për ndërtimin e Hotelit Meliá Tirana (2021), dhe vazhdon të forcojë pozicionimin e saj ndërkombëtar në Mesdhe, falë zgjerimit të pranisë së saj në Adriatik ku tashmë operon me hotelet në Kroaci dhe Mal të Zi.