Portofoli

Zv/presidentja e “Melia Group”: Krenare për investimin, Shqipëria perla e re e Mesdheut

Portofoli

Zv/presidentja e “Melia Group”, Maria Zarraluqui e cilësoi vendin tonë si një nga destinacionet më të bukura për të zhvilluar turizëm, duke u shprehur edhe mjaft krenare për investimin që “Melia Group” do të finalizojë në zonën e Gjirit të Lalzit në Durrës.

Gjatë ceremonisë së dhënies së statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4-5 yje, status special” për “Concord Investment” me Melia Hotels brand , numri dy i “Melia Group” e cilësoi vendin tonë si perlën e re të Mesdheut.

“Është një kënaqësi e madhe që si Melia Hotel International të jemi pjesë e këtij investimi, për ta kthyer Shqipërinë si një nga destinacionet më të bukura të turizmit. Shqipëria njihet si perla e re e Mesdheut dhe kjo ndodh falë të gjitha plazheve, diversitetit natyror si dhe veprave arkitekturore. Sot jemi ulur këtu në këtë lokacion të mrekullueshëm të resortit të ardhshëm të Melia këtu në Durrës dhe mendoj se ky është një nga destinacionet më të bukura që mund të ketë pasur për shumë vite me radhë, dhe gjithashtu një destinacion shumë interesant për të gjithë pushuesit europianë”, – u shpreh ajo.

Zv/presidentja theksoi gjithashtu se rrjeti i hoteleve “Melia” ndjek destinacionet më të bukura për të operuar, duke përfshirë së fundmi edhe vendin tonë.

 

“Kompania jonë, e cila operon në 45 vende në të gjithë botën, ka ndjekur një rritje cilësore duke ndjekur destinacionet më të bukura për brendet tona dhe klientët tanë. Ndërtimi i hoteleve në disa zona të Shqipërisë ka qenë një goditje shumë e bukur për ne dhe besoj se kjo do të jetë një marrëdhënie afatgjatë dhe e suksesshme. Për ‘Melian’ është shumë e rëndësishme që të jemi pjesë e këtij vendi dhe rritjes ekonomike. Në emër të ‘Melia Hotels International’ ne jemi marrë për shumë kohë me hotelerinë dhe kemi diçka e cila na diferencon nga të tjerët, pasi edhe pse ne jemi në bursë, kjo kompani i ka bazat nga familja”, – përfundoi ajo.

Bukuritë natyrore shqiptare kanë tërhequr së fundmi investitorë mjaft të mëdhenj të klasit botëror, të cilët i shikojnë me mjaft interes investimet në këtë sektor.

 

Burimi:
http://ata.gov.al/2019/03/26/zv-presidentja-e-melia-group-krenare-per-investimin-shqiperia-perla-e-re-e-mesdheut/