Portofoli

Gjiganti i hotelerisë “Melia Hotel” investon në Shqipëri

Portofoli

Pas një sërë hotelesh prestigjioze me 5 yje të cilët kanë vendosur që të investojnë kapitalet e tyre në vendin tonë, një tjetër emër i madh i hoteleve ka vendosur që t’i shtohet konkurrencës.

“Melia Hotel”, është grupi i cili do të investojë në zonën e Gjirit të Lalzit, duke krijuar kushte mjaft të mira për pushuesit, si dhe pritet që të ketë edhe një impakt në zhvillimin ekonomik të saj.

Gjatë ceremonisë së dhënies së statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4-5 yje, status special” për Grupin “Concord Investment” me Melia Hotels Brand, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi renditi disa nga investitorët të cilët aktualisht kanë filluar investimet në Shqipëri, duke theksuar se investitorët e huaj kanë kthyer vëmendjen ndaj Shqipërisë si një investimi i sigurt.

Në 22 mars 2019 komisioni i përhershëm për vlerësimin e aplikimeve për investitorët strategjikë me katër dhe pesë yje, i dha statusin special aplikimit të ‘Concord Investment Group’ për të sjellë në Shqipëri emrin e njohur të hotelerisë ndërkombëtare ‘Melia Hotel’. Hotelet me 5 yje kanë zgjedhur Shqipërinë, Tiranën, Rinasin, Durrësin për të qenë prezentë, për t’ju shtuar eksperiencës së madhe dhe eksperiencës titanike për të kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik, në një destinacion me kaq shumë burime, por edhe me kaq shumë probleme dhe halle”, – theksoi Klosi.

Sipas ministrit Klosi lehtësirat fiskale kanë ndikuar në tërheqjen e investitorëve të huaj në Shqipëri.

“Një vit më parë ne lançuam projektin tonë të madh për të ndërtuar hotele me 5 yje në Shqipëri, shumë vetë na kritikuan, shumë të tjerë diskutonin nëse do të ishte e mundur për të pasur emra të mëdhenj të hotelerisë në vendin tonë. Sot, kompanitë përfitojnë nga kjo politikë mbështetëse e qeverisë. 6% është TVSH-ja për të gjithë shërbimet brenda kompanive që përfituan si investitorë strategjikë këtë lehtësi fiskale. 6% për të gjitha strukturat akomoduese, përjashtim nga taksat dhe tatimi mbi të ardhurat për këto kompani, përjashtim për këto kompani nga taksa e ndikimit në infrastrukturë si dhe përjashtim nga taksa e pasurisë. Sot ndajmë me ju realizimin e një politike, e cila mendoj se po sjell në Shqipëri erën e re të ndryshimit dhe ndërtimit të një Shqipërie turistike. Prezenca e pesë hoteleve me pesë yje sot në vendin tonë, dëshmon se sa shumë investitorët gjejnë terren në Shqipëri, dëshmon se sa ata gjejnë stabilitet në ekonominë e vendit tonë, se sa brendet më të njohura të botës duan t’i bashkëngjiten një përpjekjeje titanike të investitorëve shqiptarë në të gjitha hapësirat e vendit tonë”, – u shpreh ai.

 

Burimi:
http://ata.gov.al/2019/03/26/gjiganti-i-hotelerise-melia-hotel-investon-ne-shqiperi/